Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal Bin Farhan, i ka kërkuar Shqipërisë që të ushtrojë ndikimin e saj në Këshillin e Sigurimit në OKB për të larguar ushtrinë izraelite që ka rrethuar Gazan pas nisjes së luftës me organizatën e Hamasit.
Ministri arab zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm shqiptar Igli Hasani, me të cilin bisedoi për situatën në Gaza dhe si duhet trajtuar ndërkombëtarisht kjo çështje.
Sipas mediave arabe, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite i kërkoi Shqipërisë që të punojë në mënyrë aktive për të siguruar paqen dhe sigurinë në këtë rajon.
Nga Arabia Saudite, Shqipërisë dhe Maltës, si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, ju kërkua që të luajnë rol të rëndësishëm për përfundimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe heqjen e rrethimit nga këto forca.
Ministri arab, lidhur me këtë çështje, zhvilloi biseda telefonike edhe me homologët nga Britania, Brazili, India, Norvegjia dhe Suedia për t’i nxitur që në Gaza të mos ketë rrethim ushtarak nga Izraeli dhe të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar, për të lejuar furnizimin me ushqime dhe ndihma të tjera.
Ushtria e Izraelit ka hyrë tashmë në Gaza që po e mban të rrethuar prej 2 ditësh. Izraeli i ka bërë thirrje popullsisë civile në Gaza që të largohet para se të nisë mësymjen ndaj Hamasit në këtë zonë.
/tvklan.al