Cristiano Ronaldo hapi rrugën në Janar drejt Arabisë Saudite dhe të gjithëve iu duk si vërtetimi i rënies së një ish-kampioni.
Por në fillim të Qershorit, futbolli saudit bëri një hap të ri përpara duke blerë futbollistë me emër që nga karim Benzema e deri tek Neymar Jr.
Tashmë çdo ditë e më shumë, kuptohet realiteti se Saudi Pro League, mund të blejë pothuajse këdo, me ambicien të afrojë lojtarë të rinj të talentuar dhe jo të shërbejë si strehë për futbollistët e famshëm në vitin e fundit të karrierës.
Nuk është hera e parë që një kampionat jo-evropian shfaqet në skenën ndërkombëtare duke investuar shuma të mëdha, por tashmë klubet europiane po fillojnë të ndjejnë konkurencën.
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola pak ditë më parë u mbylli gojën klubeve dhe trajnerëve në Europë që ankohen se arabët po iu marrin lojtarët.
“Të gjithë ankohen, por kur arabët trokasin, klubet hapin derën, shtrojnë tapetin e kuq, dhe u thonë: Çfarë dëshiron miku im? Unë shes gjithçka…. Dhe janë të lumtur”.
Por përse investime të tilla po bëhen vetëm tani? Siç u zbulua disa javë më parë, fondi sovran i pasurisë saudite ka vendosur të investojë shuma të mëdha parash për të blerë 75% të aksioneve në katër klube të ndryshme të Ligës Pro të Arabisë Saudite.
Al Ittihad, Al Nassr, Al Hilal dhe Al Ahli do të mund të përdorin fonde pothuajse të pakufizuara për të blerë lojtarë të mëdhenj.
Vendimi ka si prapaskenë ambiciet sportive dhe politike të monarkisë së Riadit që nëpërmjet këtyre blerjeve dëshiron ta bëjë kampionatin e saj të futbollit ndër më të pasurit dhe më spektakolarët në botë.
Arabia Saudite po e përdor futbollin si instrument i afirmimit diplomatik ndërkombëtar, në mënyrë që të rrisë ndikimin e saj në sektorët strategjikë në nivel politik dhe ekonomik.
Është një plan afatgjatë, i quajtur Vizioni 2030, i cili parashikon arritjen e pavarësisë së vendit nga shfrytëzimi i naftës. Caktimi i Kupës së Botës 2030, që Riadi po përpiqet ta marrë, luan një rol themelor.
Të kesh një kampionat të pasur, të famshëm dhe mjaft të ndjekur, me shumë kampionë të njohur, do të forcojë kandidaturën saudite.
Tv Klan