Apeli ia zbut pak dënimin komandant Calit, ia cakton 22 vite burgim

Paneli i Apelit sot ka shpallur aktgjykimin në çështjen kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa – Cali, raporton Gazeta Sinjali.

Apeli ka marrë vendim që komandant Calit t’ia zbus dënimin e shqiptuar në shkallën e parë, nga 26 në 22 vite burgim.

“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues tha se Mustafa në disa prej pikave të apelit të tij “nuk arriti t’i mbështeste argumentet e tij me jurisprudencën përkatëse”.

Aktgjykimi do të publikohet sot në faqen e Gjykatës Speciale dhe do t’i dorëzohet me shkrim Salih Mustafës.

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022.

Trupi Gjykues vjet e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share