Sekretari Amerikan i Shtetit takim me kryeministrin Rama dhe presidentin Begaj
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, viziton ditën e nesërme Shqipërinë. Për 8 orë, Blinken do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh, ku përfshihet presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, në kryeqytet janë duke vijuar përgatitjet për marrjen e masave të sigurisë.
Tirana po bëhet gati të presë sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili viziton Shqipërinë të mërkurën e 15 shkurtit.
Antony Blinken do të parakalojë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili është i veshur me flamuj amerikanë dhe flamuj kuq e zi.
I pari qe do ti urojë mirëseardhjen në tokën shqiptare është ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, i cili do ta presë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Ndërsa ndalesa e parë në kryeqytet do të jetë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e kësaj ambasade për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në axhendën zyrtare të Antony Blinken, parashikohet një takim me presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë të rinjtë të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.
Pritja në kryeministri parashikohet në orën 17:00 të pasdites, pasi deri në këtë orë, kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në Bruksel.
Së bashku me kryeministrin Rama, Antony Blinken do të ketë një konferencë të përbashkët, ku pritet të përcjellë mesazhet e tij.
Nuk përjashtohet një takim informal me kreun e SPAK Altin Dumani, por mbetet ende e pa konfirmuar.
Përfundimi i axhendës së sekretarit amerikan të shtetit pritet të jetë rreth orës 19:00 të pasdites.
Fokusi i kësaj vizite do të jetë siguria në rajon por dhe marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA, të forcuara ndër vite.
Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991.
Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, e cila mbajti edhe një fjalim në parlament.
Në 2012 ishte Hillary Clinton sekretare shteteve në një vizitë një ditore në Tiranë.
Sekretari tjetër i shtetit që ka vizituar vendin tonë ishte edhe John Kerry, më 14 shkurt 2016./klannews