Antikorrupsioni do të hapë lëndë për tenderin e MPJ-së të fituar nga kompania “donatore e BDI-së”

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të hapë lëndë lidhur me kompaninë “Eurovia”, e cila ka fituar tenderin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, me vlerë prej 1.8 milionë eurove, përcjell KlanM.

“Në kolegjiumin e sotëm, KSHPK-ja konstatoi se në rastin konkret ka elemente për veprim kompetent nga ana e komisionit nga aspekti i materialitetit, pasi që përfshin shuma të larta por edhe rreziqe për përkatësi politike”, tha kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, raportoi sot Telma.

Eurovia fitoi një tender prej 1.5 milion euro pa TVSH për të përshtatur sallën Boris Trajkovski për takimin ministror të OSBE-së në nëntor dhe dhjetor. Por edhe vitin e kaluar ka pasur marrëveshje me shtetin dhe komunat. Sipas të dhënave të publikuar, po atë vit kompania i ka dhuruar 1,8 milionë denarë partisë politike BDI, ndërsa njëri nga pronarët e saj, Elmedin Ademi ka dhuruar 2,5 milionë denarë, përcjell KlanM.

Sipas Ligjit për financimin e partive politike, partitë nuk mund të financohen nga “ndërmarrjet private të cilat në kohën e dhënies së mbështetjes së partisë politike kryejnë shërbime publike për organet shtetërore ose për institucionet publike, ndërmarrje dhe fonde në rrugë kontraktuale”

Nga ana tjetër, kompania “Eurovia” ka mohuar se ka pasur shkelje të ligjit. Në njoftim nuk thuhet se cila “Eurovia” me cilin numër tatimor ka dhuruar, duke qenë se janë disa kompani që përmbajnë emrin “Eurovia” dhe janë të lidhura me grupin me të njëjtin emër. Pronarët janë Elmedin Ademi dhe Eldin Ademi, i cili nga muaji i kaluar është kryetar i degës së BDI-së në Jegunovcë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share