Beteja midis frontit PRO dhe ANTI evropian!
Një anketë e publikuar në portalin MKD.MK, krahasuar me anketat tjera tregon se rritet numri i qytetarëve që do të dalin në votime.
Anketa në fjalë thotë se vazhdon trendi i rritjes së popullaritetit të VMRO-DPMNE-së dhe liderit Hristijan Mickoski.
12.95% e të anketuarve i besojnë Mickoskit, në vendin e dytë renditet Ali Ahmeti me 6.65%, pasojnë Dimitar Kovaçevski me 4.25 dhe Dimitar Apasievi me 3.5%.
Në këtë anketë 16.35% e qytetarëve vlerësojnë se VMRO-DPMNE do t`i fitojë zgjedhjet, 5.95% BDI-ja kurse për LSDM-në kanë përcaktuar 5.65%.
Anketën e ka komentuar Ministri i Jashtëm dhe Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. Ai në Facebook shkruan se rezultatet dëshmojnë shenjat e barazisë së popujve.
“BDI partia e parë te shqiptarët dhe e dyta në nivel shteti.. Ju thoja që tash liga e parë është ndryshe. Beteja është mes Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI dhe frontit Anti- Evropian të prirë nga Vmro Dpmne. Këto janë shenjat e barazisë së popujve”, shkruan Osmani.
Anketa të porositura nga VMRO-DPMNE, që do të dështojnë sikurse tjerat – thonë socialdemokratët
“Anketa të porositura pati edhe para zgjedhjeve në Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupa kur thuhej se DPMNE ka epërsi të dyfishtë, që në fund Mickoski të përjetojë disfatë. Asnjë anketë e porositur nuk mund ta mbulojë faktin se DPMNE dhe Levica janë pengesa e vetme për vazhdimin e rrugës evropiane”, thonë nga LSDM.
Ndryshe, anketa në fjalë është zbatuar nga 8 deri 15 dhjetor me 1.067 të anketuar përmes telefonit./KlanMacedonia