Ekspertët e sigurisë thonë se mungon lobimi
Mungesa e lobimit të mirëfilltë, është pasojë e mospranimit të Kosovës në Organizatën ndërkombëtare të Sigurisë, INTERPOL. Ky është mendimi i ekspertëve të sigurisë dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme. Krahas kësaj, ata vlerësojnë se Kosova duhet të punojë më shumë me partnerë strategjik, e jo në mënyra siç thonë, vetanake.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket pranimit në Interpol. Interpoli është mekanizëm i sigurisë dhe nuk është mekanizëm politik, edhe pse është shndërruar në politikë për shkak të politikës globale dhe kundërshtimet më të mëdha i kemi pasur nga disa shtete të cilat nuk e meritojnë me qenë në Interpol, janë shtete të paktit të painkuadruar, dhe votat kundërshtuese që na u kanë shtuar ditën e fundit, kanë qenë vota të disa shteteve që ende kufirin e ruajnë me bagëti, pra vota e tyre janë të barabarta me atë të Gjermanisë, Francës apo kujtdo tjetër, dhe ato vota na kanë eliminuar prej konkurrencës në INTERPOL”, deklaroi ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
“Çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, këtë rast në INTERPOL është një çështje që ka mbetur që disa vite duke aplikuar e duke u tërhequr, shkaku i moslobimit të duhur për të arritur këtë anëtarësim. Mendoj çdo herë po shfrytëzohet momenti i fundit, po largohen të holla pa nevojë, dhe vetë mënyra e lobimit është për të dështuar. Për faktin se nuk po shfrytëzohen partnerët tanë strategjik, por po mundohemi me mënyra vetanake që Kosova realisht nuk ka një fuqi t’ia dalë në aspektin e një loboimi të mirëfilltë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë”, u shpreh Nuredin Ibishi. njohës i çështjeve të sigurisë.
Mustafa e Ibishi thonë se lobimi duhet të bëhet tek ato shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet, dhe rrjedhimisht edhe tek shtetet që konsiderohen kyçe në këto procese./KlanMacedonia