“Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të vështirësonte pozitën e Rusisë në detin Baltik”

Kryeministrja suedeze deklaroi se vizita e gjeneralit Mark Milley tregon mbështetjen e Uashingtonit për Stokholmin

Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do ta vendoste Rusinë në një pozicion të vështirë ushtarak në Detin Baltik. Kështu deklaroi gjenerali i lartë amerikan Mark Milley gjatë një vizite në Stokholm në prag të një stërvitjeje ushtarake. Anëtarësimi i tyre do të nënkuptonte që vija bregdetare e qyteteve te Kaliningradit dhe Shën Petersburgut në Detin Baltik, të rrethohet nga anëtarë të NATO-s.

“Deti Baltik është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike, është një nga rrugët detare më të mëdha në botë. Ka të ngjarë të ketë diku tek  reth 1500-2000 anije tregtare në ditë që lundrojnë në Baltik”, tha Mark Milley, gjeneral i lartë amerikan.

Milley po mbante një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij suedez, në prani të  kryeministres Magdalena Andersson përpara stërvitjes vjetore të NATO-s në Detin Baltik ku marrin pjesë Suedia dhe Finlanda.

“Prania që shohim sot këtu është një shprehje konkrete e mbështetjes së SHBA-së dhe gjithashtu një sinjal shumë i fortë politik në një moment vendimtar të historisë”, tha Magdalena Andersson, kryeministre e Suedisë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se nuk kishte asnjë kërcënim për Rusinë nëse Suedia dhe Finlanda i bashkoheshin NATO-s, megjithëse ai paralajmëroi se Moska do të përgjigjej nëse aleanca e udhëhequr nga SHBA forcon infrastrukturën ushtarake të anëtarëve të rinj nordikë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share