Andonov: Kapacitetet energjetike janë funksionale, prodhimtaria është stabile dhe i plotëson në tërësi nevojat

Të gjitha kapacitetet energjetike vendore janë funksionale, prodhimi vendor është stabil dhe tërësisht i plotëson nevojat e amvisërive, konsumatorëve të vegjël dhe furnizimet shtesë për shkollat, industrinë ushqimore dhe subjektet tjera vitale shtetërore, deklaroi sot Viktor Andonov, bashkëpunëtor për energjetikën në Kabinetin e kryetarit të Qeverisë.

Andonov informoi se dje prodhimi ditor i energjisë elektrike nga kapacitetet vendore ka qenë 19.205 megavat orë, prej të cilave 13.940 nga termocentralet, ndërsa të tjerët 5.265 nga burimet e ripërtëritshme, me të cilat disponon EMV-ja. Me këtë prodhim, siç tha ai, janë plotësuar plotësisht nevojat e të gjithëve.

“Qeveria këtë vit vazhdon me zbatimin e Planit për përballimin më të lehtë të krizës energjetike, e cila përfshin rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe furnizimin e pandërprerë të qytetarëve me energji elektrike dhe ngrohje. Në janar, për herë të parë pas 15 vitesh, 87 për qind e gjithsej nevojave për energji elektrike janë siguruar nga kapacitetet vendore, ndërsa vetëm 13 për qind nga importi”, tha Andonov në konferencën për shtyp në Qeveri.

Ai përkujtoi se thirrja për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për amvisëritë me të ardhura të ulëta është ende aktive dhe apelon që qytetarët të aplikojnë.

Thirrja do të jetë e hapur deri në fund të shkurtit, ndërsa detajet mund të lexohen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, informon këshilltari.

Andonov shtoi se shteti ka siguruar pothuajse një milion denarë në mbështetje të faturave të energjisë elektrike të amvisërive me të ardhura të ulëta, ndërsa subvencioni është nga 600 deri në 800 denarë, varësisht nga kategoria e qytetarëve.

Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski, i ka bërë të ditura vendimet që janë marrë në seancën e djeshme të qeverisë. /MIA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share