Andonov: Çmimin përfundimtar të energjisë elektrike e sjell KRRE

“Subjektet që plotësojnë kushtet të paraqiten për çmim të subvencionuar të rrymës”

Viktor Andonov në konferencën e sotme për media tha se sistemi elektroenergjetik në vend është stabil dhe funksional dhe se nga prodhimi vendor janë të përmbushura tërësisht nevojat e qytetarëve dhe konsumatorët e vegjël që janë në tregun e rregulluar. Ai tha se, SHA EMV ende nuk i ka dorëzuar përllogaritjet për energji elektrike për vitin e ardhshëm. Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, Andonov theksoi se, në periudhën vijuese do të miratohen vendime të rëndësishme.

“Çmimin përfundimtar e sjell Komisioni Rregullator i Energjetikës. Qeveria vendosë për çmimin e energjisë elektrike të prodhuar nga EMV e cila është vetëm një komponentë në çmimin përfundimtar dhe në këtë pjesë, Qeveria do t’i shqyrtojë të gjitha analizat, projeksionet në seancë të mbyllur pasi të dorëzohen të njëjtat nga EMV. T’i lëmë institucionet e pavarura profesionale të kryejnë punën dhe në periudhën vijuese pas miratimit të vendimeve përfundimtare, opinioni do të informohet në kohë për vendimet e miratuara”, deklaroi Viktor Andonov, këshilltar për energjetikë në Qeverinë e RMV-së.

Ndërkohë, në lidhje me thirrjen për shfrytëzim të energjisë elektrike me çmim të subvencionuar në shkolla, çerdhe dhe kompani të industrisë ushqimore, Andonov informoi se deri më tani janë paraqitur mbi 500 subjekte dhe u bëri thirrje gjitha subjekteve që plotësojnë kushtet të paraqiten.

“Masat e Qeverisë për sigurim të rrymës më të lirë me çmim fiks për industrinë ushqimore, ndërmarrjet publike komunale dhe shkollat fillore dhe të mesme, në dhjetor po realizohen dhe veç më mbi 500 subjekte janë paraqitur të shfrytëzojnë energji elektrike me çmim të subvencionuar. U bëj thirrje gjithë subjekteve të tjera, të cilat i plotësojnë kushtet dhe gjenden në sektorët e targetuar të paraqiten deri më 1 janar që të shfrytëzojnë rrymë më të lirë me çmim fiks. Të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe t’i shfrytëzojmë racionalisht resurset në kohë krize”, u shpreh Andonov.

Autoritetet tash më kanë paralajmëruar se në janar të vitit të ardhshëm do të ndryshoj çmimi i energjisë elektrike, por nuk kanë dhënë më shumë detaje. Së fundmi, ministri i Ekonomisë tha se, me shumë gjasa pas 1 janarit çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë për bllokun 1 dhe 2 të tarifave, përkatësisht, pritet rritje e çmimit vetëm për ata që harxhojnë më tepër./KlanMacedonia

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share