Analistët skeptikë për emërimet e Trump

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka bërë një sërë zgjedhjesh nga sekretari i mbrojtjes te ambasadori në Izrael e shumë të tjera. Por gama e gjerë e propozimeve nga Trump i ka lënë ekspertët në mëdyshje.

“Senatori Rubio paraqitet si mbështetës i fortë i Izraelit dhe shumë i ashpër me Iranin. Kështu që unë mendoj se ai do të pasqyrojë mesazh të fortë. Vendimmarrja e politikave ndërinstitucionale është me të vërtetë një pyetje tjetër, por në këtë aspekt nuk shoh shumë afërsi mes tij dhe Presidentit Trump.”

Trump ka zgjedhur Pete Hegseth si sekretarin e tij të mbrojtjes, një komentues dhe veteran i Fox News, një propozim që ishte surprizë.

“Emërimi i Hegseth për Sekretarin e Mbrojtjes është shumë i papritur dhe shumë i pazakontë. Ai ka kualifikime të shkëlqyera si oficer ushtarak. Ai ka kredenciale të shkëlqyera arsimore, por ai nuk ka përvojë të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare dhe nuk ka drejtuar kurrë një organizatë e madhe. Sfida më e madhe e tij është se ai nuk ka punuar më herët në një qeveri.”

Nga ana tjetër Trump ka ofruar pak detaje sesi do të veprohet me politikën e jashtme, nën sfondin e konflikteve në Rusi-Ukrainë dhe luftën në Gaza e Liban.

“Për Ukrainën, Trump ka thënë se do të ushtrojë presion mbi të dyja palët për të bërë një marrëveshje. Disa herë ka kërcënuar se do të tërhiqet nga ndihma ushtarake për Kievin nëse Zelenskiy nuk pajtohet me negociatat, por nga ana tjetër ka thënë se do të shtojë ndihmën për Ukrainën nëse Rusët nuk vijnë në tryezë. Trump po përpiqet të përdorë mjetet e tij për të detyruar një lloj zgjidhjeje të negociuar.”

Mënyra se si Trump i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë mund të vendosë tonin për axhendën e tij dhe të sinjalizojë se si do të merret me NATO-n dhe aleatët kryesorë të SHBA-së.

Ekspertët shprehën gjithashtu shqetësim për zgjedhjen e ish-kongresmenes Tulsi Gabbard nga Trump si Drejtore e Inteligjencës Kombëtare e cila ka pak përvojë të drejtpërdrejtë me punën e inteligjencës.

Ndërkaq Trump, i cili ka propozuar ish-guvernatorin e Arkansas, Mike Huckabee si ambasador në Izrael, do të përballet gjithashtu me një Lindje të Mesme të paqëndrueshme.

“Gjëja e parë që Presidenti duhet të bëjë është të punojë me qeverinë izraelite për të artikuluar një strategji që në thelb u jep fund këtyre konflikteve, dhe sjell përpara një lloj periudhe stabilizimi në Gaza. Puna që do të bëjë Mike Huckabee për Izraelin ngjan disi me atë të ambasadorit të fundit republikan në Izrael, David Friedman, i cili ishte i ekstremit të djathtë jo vetëm në spektrin politik amerikan por edhe atë të Izraelit dhe pikëpamjet e tij duket se janë të lidhura ngushtë me kryeministrin Netanyahu.”

Trump ka shprehur mbështetje për luftën e Izraelit për të shkatërruar Hamasin. Ai pritet të vazhdojë të mbështesi ushtarakisht Izraelin, ekzistenca e të cilit ai tha se do të ishte e rrezikuar nëse Harris do të zgjidhej.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share