“Në fokus të jetë dënimi i sulmit të Banjskës”
Analistët në Kosovë e shohin të pamundur kërkesën e Kryeministrit Albin Kurti për largimin Miroslav Lajçak si ndërmjetës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kurti e akuzoi atë si të njëanshëm pas takimit të fundit të zhvilluar mes dy palëve në Bruksel, por njohësit e zhvillimeve politike thonë se pas ngjarjeve në Banjskë, Prishtina duhet të ndryshojë fokusin e saj.
“Në fazën ku momentalisht jemi mendoj që nuk do të duhej që të ishte prioriteti kryesor i Kosovës kërkesa për largimin e ndërmjetësuesve ose zëvendësimin e tyre. Kujtojmë këtu që ndërmjetësit përfaqësojnë qëndrimin e BE-së në dialog”, thotë Shemsi Jashari.
Në të njëjtën linjë është edhe Arbnor Sadiku që thotë se largimi i Lajçak duket i pamundur.
“Fokusi jonë do të duhej që të prezantohej sa më mirë ky sulm terrorist siç ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës duke dokumentuar për ditë përmes konferencave”.
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se qeveria e Kosovës nuk duhet të humbë kohë me ndërmjetësit, por të punojë për të dënuar rolin e Serbisë në pas sulmit të 24 Shtatorit.
Tv Klan