Ata shprehën se marrëveshja është e brishtë pasi Hamasi nuk është i vetmi grup militant që vepron
Ajo që pritej u nënshkrua. Marrëveshja e armëpushimit tanimë po cilësohet si një fener shprese për shumë familje që prej më shumë se një muaj nuk dinë për fatin e të dashurve të tyre që mbahen peng nga militantët e Hamasit.
Ndërsa fillimisht do të lirohen 50 gra dhe fëmijë në këmbim të një pauze katër-ditore në luftime, marrëveshja duket se është strukturuar për të inkurajuar lirime të mëtejshme. Kjo do të shërbejë edhe për një pauzë në luftime ku do të sigurojë lehtësim të nevojshëm për Gazën.
Anas Iqtait, pedagog i ekonomisë dhe ekonomisë politike të Lindjes së Mesme në Universitetin Kombëtar Australian dhe Greg Barton, kryetar për Politikat Globale Islamike në Universitetin Deakin shprehen se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja është e brishtë e mund të ndryshojë në çdo kohë.
“Armëpushimi do të jetë i rëndësishëm për ndihmën humanitare sepse do të lejojë që një numër i madh kamionësh dhe autokolonash të ndihmave humanitare të hyjnë në Rripin e Gazës. Por më duhet të shtoj se numri, ose sasia e asaj ndihme që do të lejohet nuk është afër asaj që nevojitet vërtet në Gaza teksa situata është e rëndë. Megjithatë nuk ka absolutisht asnjë besim midis Hamasit dhe Izraelit. Katari, SHBA dhe Egjipti i kanë dhënë garanci se armëpushimi duhet të respektohet. Tani nëse kjo do të ndodhë apo jo, mbetet për t’u parë”.
Greg Barton shprehet se marrëveshja është shpëtimtare.
“Epo kjo është një pauzë shpëtimtare. Dua të them, ne kemi mbi dy milionë njerëz që janë në rrezik nga uria dhe shpërthimi i sëmundjeve ngjitëse për shkak të mungesës së ushqimit, ujit të pastër, ilaçeve dhe karburantit për të furnizuar me energji elektrike për spitalet. Pra do të kishim njerëz që do të vdisnin si rezultat”.
Megjithatë analistët shprehen se frika mbetet pasi Hamasi nuk është i vetmi grup militant që vepron ndërsa ekziston edhe grupi i Xhihadit Islamik si dhe të tjerë, të cilët mund ta thyejnë këtë armëpushim si hakmarrje.
“Është një situatë shumë e brishtë. Është e qartë se ka një problem me besimin mes qeverisë izraelite dhe popullit të Gazës në përgjithësi. Por sigurisht, ne e dimë se çfarë mendon qeveria izraelite për Hamasin që është një organizatë terroriste, e cila ka bërë gjëra të tmerrshme”.
Amerikanët janë përfshirë shumë në ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje pengjesh. Nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, tek kreu i CIA-s, tek vetë presidenti, ka pasur një angazhim intensiv dhe të vazhdueshëm me Katarin dhe Izraelin për ta finalizuar atë. Marrëveshja erdhi në një kohë kur demokratët janë gjithnjë e më të ndarë rreth luftës.
Për javë të tëra, Biden është përpjekur publikisht dhe privatisht të bindë kryeministrin të ndalojë bombardimet e Gazës për të lejuar ndihmën humanitare dhe për të reduktuar viktimat civile. Netanyahu ka refuzuar vazhdimisht të marrë në konsideratë një ndalim në shkallë të gjerë të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, nëse kjo nuk do të çonte në lirimin e pengjeve.
Klan News