Ambasadori rus në Berlin, Sergey Nechayev, ka kritikuar Gjermaninë për mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së luftës së Moskës në këtë shtet.
“Dërgimi i armëve vdekjeprurëse për regjimin ukrainas – të cilat nuk po përdoren vetëm kundër ushtarëve rusë, por edhe kundër popullsisë civile në Donbas – përbën ‘linjë të kuqe’ që Qeveria gjermane nuk do të duhej ta kalonte”, ka thënë Nechayev në një intervistë për të përditshmen ruse, Izvestia, transmeton dpa.
Ai i është referuar në intervistë “përgjegjësisë historike dhe morale të Gjermanisë për krimet e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore”.
Nechayev ka hedhur poshtë mundësinë që Gjermania të ketë rol ndërmjetësues për të ndihmuar në dhënie fund të luftës.
Ai e ka përshkuar Berlinin si një prej aktorëve kryesorë në politikën e Perëndimit për sanksionim të Rusisë.
Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Që atëherë, Qeveria gjermane ka furnizuar Kievin me pajisje ushtarake dhe municion e tanke, por jo edhe aeroplanë luftarakë, të cilët i ka kërkuar Ukraina.
Berlini e ka cituar historinë e saj në luftëra, si arsye për veprime të kujdesshme, kur është fjala për furnizim të Kievit me armë të rënda.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL