Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Andrea Silvestri qëndroi sot për vizitë pune në Universitetin e Tetovës. Ai u prit në takim nga Rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij, përcjell KlanM.
“Ambasadori Andrea Silvestri tha se Ambasada Italiane do të jetë në gatishmëri për të bashkëpunuar me Universitetin e Tetovës me qëllim të nxitjes së të rinjve për ta studiuar gjuhën italiane. Ndërsa Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se Universiteti ynë gjithashtu është i gatshëm për të krijuar ura të reja miqësie me universitetet nga Republika e Italisë, me qëllim që në të ardhmen të bashkëpunojmë në projekte të ndryshme ndërkombëtare, të cilët do të ishin në dobi të universiteteve tona dhe studentëve në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra për Informim e UT-së.
Pas takimit me udhëheqësit e Universitetit, Ambasadori Italian, Andrea Silvestri ka mbajtur një ligjëratë profesionale para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Juridik.
“Si Rektor i Universitetit të Tetovës, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për ta riafirmuar përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Universiteti ynë ka qenë një mik dhe mbështetës i madh i kombit tonë në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, dhe ne jemi të përkushtuar ta luajmë rolin tonë në avancimin e aspiratave evropiane. Orientimi i palëkundur i Universitetit të Tetovës drejt integrimeve euroatlantike të vendit dhe rajonit është dëshmi e përkushtimit ndaj studentëve, komunitetit dhe vendit tonë”, theksoi Rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti.
Ndërsa në ligjëratën e tij, me temë “Bashkimi Evropian si krijim juridik dhe politik”, ambasadori Silvestri ka folur gjerësisht mbi evolucionin e krijimit të Bashkimit Evropian që nga themelimi e deri më sot.
Qëndrimin e tij në Universitetin e Tetovës, Ambasadori Andrea Silvestri e ka përmbyllur me vizitën në Fakultetin e Arteve ku është përuruar vepra e artistit italian Roberto Geci, dhuratë nga Ambasada Italiane./KlanMacedonia