Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një takim me disa gazetarë në Prishtinë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.
Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – kanë hyrë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.
“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.
Ai e citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë.
Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.
“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.
“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri por ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, shtoi ambasadori amerikan në Prishtinë.
Klan News