Sot janë bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit nga një grup serbësh, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës serbe.
Në njëvjetorin e sulmit, ka reaguar Ambasada gjermane, e cila kërkon që drejtësia duhet të vendoset, gjersa i rikujton Beogradit që Milan Radoiçiq, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi.
“Një vit më parë, gjatë sulmit të tmerrshëm në Banjskë, polici i Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoiçiq, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi.
Dështimi për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane. /Telegrafi/