Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se nuk është konsultuar dhe as informuar nga Qeveria e Kosovës për vendimin për shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut” si organizata terroriste.
Në një përgjigje për Klankosova.tv kjo ambasadë ka ripërsëritur planin trepikësh të Bashkimit Evropian për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.
“Ne as nuk jemi konsultuar dhe as nuk jemi informuar paraprakisht për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ si organizata terroriste”, thuhet në përgjigjen ambasadës franceze.
Tutje, kjo ambasadë ka theksuar nevojën për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës.
“Rikujtojmë pritshmërinë e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj në lidhje me Qeverinë e Kosovës me qëllim të de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës”.
– Tërheqja e forcave speciale nga afërsia e objekteve komunale;
– Ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e komunave në objekte alternative;
– Organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës.
– Rifillimi i dialogut me synim normalizimin dhe në veçanti përparimin lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kujtojmë se sot gjatë ditës edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Qeveria e Kosovës e ka marrë këtë vendim pa u koordinuar me aleatët e saj.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, në pyetjet dërguar nga Klankosova.tv.
Ngjashëm është përgjigjur edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Madje thuhet se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.
“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.