Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica. Dumani është shprehur se aktivitetet kriminale të ngritura nga shqiptarët në qytetet kryesore italiane janë trafiku i drogës, pastrimi i parave, trafiku i qenieve njerëzore, emigracioni i paligjshëm dhe mashtrimi kompjuterik.
Dumani tregoi se si shqiptarët kanë bashkëpunuar me mafian italiane për të përfituar para në mënyrë të paligjshme. Kreu i SPAK theksoi se grupet shqiptare kanë ndikuar në tregun e drogës në disa vende të BE-së. Kjo sipas tij edhe nga lidhjet e forta që ata kanë vendosur me kartelet e drogës në vendet e Amerikës Latine.
Dumani u shpreh se grupet shqiptare nuk kanë struktura kriminale që ngjajnë me organizatat mafioze italiane, por karakterizohen nga lidhje të ngushta familjare dhe shoqërore, pa një hierarki të qartë. Kreu i SPAK theksoi se shqiptarët dallohen për të vepruarit në mënyrë të pavarur, por nuk përjashtohen edhe bashkëpunimet me organizata të tjera.
Prandaj, sipas Dumanit, aktualisht nuk ka një “superbos” shqiptar që të njihet si drejtuesi i vetëm i grupeve kriminale shqiptare. Kreu i Prokurorisë së Posaçme foli edhe për ndikimin e korrupsionit dhe se si SPAK po e lufton atë. Sipas Dumanit, rreziku kryesor i krimit të organizuar shqiptar është impakti mbi ekonominë e vendit. Ai theksoi se në funksion të një lufte efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, “SPAK po merr masa të nevojshme për të përforcuar kapacitetet institucionale”.
Pyetje: Altin Dumani, në Shqipëri ju jeni kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe jeni një nga magjistratët më të ekspozuar në vendin tuaj për luftën kundër grupeve kriminale shqiptare që janë përhapur në Europë dhe në veçanti në Itali. Këtu ata u bënë bashkëpunëtorë me organizata të ndryshme kriminale. Çfarë i bashkon dhe kush është puna e tyre?
Altin Dumani: Si çdo organizatë kriminale, objektivi i këtyre grupeve që drejtohen nga qytetarë shqiptarë është pasurimi i paligjshëm përmes aktiviteteve kriminale. Në këtë kontekst synimet dhe objektivat e tyre, përfshirë edhe bashkëpunimin me klanet italiane, nuk ndryshojnë, por synojnë fitimin e parave në kundërshtim me ligjin.
Pyetje: Në cilat qytete italiane janë të pranishme grupet më të forta kriminale shqiptare?
Altin Dumani: Hetimet e përbashkëta me autoritetet ligjzbatuese italiane kanë zbuluar se në vendin tuaj ka qytetarë shqiptarë të përfshirë në vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me trafikun e drogës, pastrimin e parave, trafikun e qenieve njerëzore, emigracionin e paligjshëm dhe mashtrimin kompjuterik. Dyshohet se këto aktivitete kriminale janë kryer në disa qytete si Romë, Milano, Firence, Venecia, Ankona, Torino, Bari, Brescia, Bergamo, Pordenone, Pisa dhe Lecce.
Pyetje: Me cilat grupe kriminale ase mafiozë italianë kanë më shumë lidhje dhe interesa?
Altin Dumani: Hetimet e deritanishme kanë zbuluar bashkëpunime të grupeve shqiptare me klanet pulieze, kryesisht në trafikun e drogës. Për më tepër, një hetim paralel i kryer nga Prokuroria e Katanias zbuloi se një grup kriminal shqiptar bashkëpunonte me Cosa Nostra-n për të pastruar një shumë të mëdha parash. Kemi indicie dhe të dhëna, të cilat i ndajmë me autoritetet gjyqësore të vendit tuaj nga të cilat dalin se si grupet shqiptare bashkëpunojnë me klane apo mafiozë italianë.
Pyetje: A ka një zgjerim të grupeve shqiptare në shtetet europiane?
Altin Dumani: Është e vështirë të thuash nëse ka një zgjerim, por ajo që vërehet është se këto grupe kanë arritur të ndikojnë në tregun e kokainës dhe kanabisit në vendet e BE-së, duke qenë kryesisht aktivë në Greqi, Itali, Spanjë, Belgjikë, Luksemburg, Holandë, Gjermani, Danimarkë dhe Britani të Madhe. Në Shqipëri janë kapur sasi të mëdha kokaine me destinacion tregun europian.
Pyetje: A janë zgjeruar edhe në Amerikën e Jugut?
Altin Dumani: Dekadën e fundit ka pasur një rritje të dërgesave nga Amerika e Jugut të kontrolluara nga grupe shqiptare, të destinuara kryesisht për vendet e BE-së. Ky zhvillim vjen si pasojë e lidhjeve të forta që ata kanë vendosur me kartelet e drogës nga Ekuadori, Kolumbia, Peruja, Brazili dhe Meksika.
Pyetje: A mund të flasim për ekzistencën e një “mafie shqiptare”?
Altin Dumani: Termi “mafia shqiptare” është më tepër një term i përdorur nga mediat dhe qarqet akademike, pasi nuk është një term ligjor në legjislacionin penal shqiptar. Për t’iu rikthyer çështjes, nuk mund të thuhet se sot kemi struktura kriminale që ngjajnë me organizatat mafioze italiane si Cosa Nostra, ‘Ndragheta, Camorra apo Sacra Corona Unita. Grupet kriminale shqiptare karakterizohen nga lidhje të ngushta familjare dhe shoqërore, por pa një hierarki të qartë. Ato veprojnë kryesisht në grupe të vogla dhe bashkë me organizata lokale apo grupe të tjera të organizuara shqiptare.
Pyetje: A kanë një “kapo” grupet shqiptare në Itali, apo janë grupe të pavarura?
Altin Dumani: Me sa dimë sot nuk mund të themi se kemi një drejtues të vetëm të grupeve shqiptare apo një “superbos”. Shqiptarët dallohen për stilin e tyre të operimit në mënyrë autonome, ku sigurisht nuk përjashtohen edhe rastet e bashkëpunimit me grupe të tjera të përbëra nga qytetarë shqiptarë por edhe të kombësive të tjera.
Pyetje: A mund të konsiderohet korrupsioni në Shqipëri një armë në favor të grupeve kriminale, me të cilin kanë përfitime “institucionale”?
Altin Dumani: Grupet kriminale shqiptare si çdo rup tjetër përpiqen të dobësojnë forcën e ligjit dhe për këtë qëllim përpiqen vazhdimisht të krijojnë lidhje me institucionet nëpërmjet ryshfetit apo shantazhit. Në Shqipëri jemi përballur me këtë fenomen shqetësues dhe është një nga prioritetet e punës së SPAK-ut. Gjatë hetimeve që kemi kryer janë konstatuar disa raste ku anëtarë të krimit të organizuar kanë rekrutuar apo korruptuar punonjës policie të gradave të ndryshme.
Pyetje: Në çfarë niveli ka arritur korrupsioni?
Altin Dumani: Korrupsioni është një fenomen shqetësues për vendet në tranzicion dhe Shqipëria nuk mund ta shmangë këtë problem. SPAK e konsideron luftën kundër korrupsionit dhe funksionarëve të lartë të shtetit një nga prioritetet e saj të punës. Që nga themelimi, SPAK ka arrestuar disa gjyqtarë, prokurorë, oficerë policie, kryetarë apo ish-kryetarë bashkie, një zëvendësministër, një ish-prokuror të Përgjithshëm, një ish-ministër të Brendshëm për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Aktualisht SPAK ka arrestuar një ish-ministër dhe një deputet të Kuvendit të Shqipërisë.
Pyetje: A ka politikanë apo magjistratë, që bashkëpunojnë me krimin e organizuar në Shqipëri?
Altin Dumani: Lidhjet e krimit me politikën, përfshirë drejtësinë, janë një fenomen shqiptar dhe nuk është rastësi që në vendin tonë është ndërmarrë një reformë e gjerë në sistemin gjyqësor.
Pyetje: Ku investohen të ardhurat që vijnë nga trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit dhe trafikimi i qenieve njerëzore?
Altin Dumani: Ka institucione të tjera që bëjnë analiza të detajuara për të vlerësuar rrezikun e pastrimit të parave. Por në përgjithësi bazuar nga hetimet e SPAK, mund të themi se sektorët që janë prekur më shumë nga pastrimi i parave janë ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, industria e lehtë, lojërat e fatit dhe turizmi hotelier. Kohët e fundit është vënë re edhe përdorimi i kriptomonedhave. Një rast interesant që ka hetuar SPAK është në fakt ai i ndërtuesit Francesco Zummo (një nga nga protagonistët e mafias në Palermo të cilin e ka hetuar edhe Giovanni Falcone) i cili tentoi të pastronte rreth 18 milionë Euro nëpërmjet institucioneve të ndryshme bankare shqiptare. SPAK e ka sekuestruar këtë shumë dhe gjyqtarët po shqyrtojnë procedimin me qëllim sekuestrimin përfundimtar të të gjithë shumës prej 18 milionë e 400 mijë Euro.
Pyetje: Cili është rreziku më i madh sot nga ajo që ne përkufizojmë si mafia shqiptare?
Altin Dumani: Rreziku kryesor i krimit të organizuar shqiptar është impakti mbi ekonominë e vendit. Pastrimi i parave nëpërmjet investimeve deformon ekonominë e tregut dhe konkurrencën e ndershme. Fuqizimi i grupeve kriminale çon edhe në rritjen e konflikteve të dhunshme mes tyre, me pasojë dëmtimin e sigurisë së qytetarëve.
Pyetje: Cila është strategjia për të luftuar këto klane?
Altin Dumani: Në funksion të një lufte efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK po merr masa të nevojshme për të përforcuar kapacitetet institucionale. Në Prokurorinë e Posaçme është aktualisht e pranishme një njësi e dedikuar për ushtrimin e aksionit penal për krime që lidhen me krimin e organizuar. Në përbërje të kësaj njësie ushtrojnë funksionet e tyre prokurorë të posaçëm dhe hetues të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar. Për sa i përket korrupsionit, SPAK ka krijuar një njësi speciale në luftën kundër këtij krimi, e përbërë nga prokurorë specialë dhe hetues të specializuar. Përdorimi i instrumenteve dhe metodave speciale të hetimit, si agjentë të infiltruar, forcat e rendit dhe interceptimet telefonike, janë efektive për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Duke qenë se krimi i organizuar është transnacional, SPAK i ka kushtuar shumë vëmendje përforcimit të bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese të huaja (si vendet e BE e më gjerë). Bashkëpunimi me autoritetet e huaja ligjzbatuese përfshin krijimin e skuadrave të përbashkëtave investigative, procedime paralele dhe asistencë reciproke. Prokuroria e Posaçme ka aktualisht disa skuadra të përbashkëta investigative me autoritetet italiane, britanike, franceze, gjermane e spanjolle. Hetime paralele janë kryer edhe me vende si Danimarka dhe Norvegjia. Edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive që vijnë nga krimi bëjnë pjesë në këtë strategji. Për këtë qëllim ka nisur të operojë Departamenti i Hetimeve Financiare, i përbërë nga hetues të përzgjedhur pas një procesi shumë rigoroz. Në këto 3 vjet, SPAK ka arritur të sekuestrojë dhe konfiskojë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kompani dhe shuma parash me vlerë mbi 100 milionë Euro./tvklan.al