Nga Alternativa kanë reaguar përmes një kumtese ndaj Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe Ministrisë së Financave, që të gjejnë zgjidhje dhe të mos i ngarkojnë qytetarët me barrë përtej mundësive dhe detyrimeve të tyre, përcjellë Klan M.
”Sipas kalkulimeve që bëhen, kjo secilës familje do t’i kushtojë së paku 3.000 den., ndërsa nga një përllogaritje e thjeshtë ka dalë se vetëm për ndërrimin e tabelave të makinave, shteti do të përfitojë nga qytetarët diku 11 milionë euro. Nëse llogariten edhe çmimet e të gjitha dokumenteve të tjera personale, shuma të cilën do ta përfitojë shteti mund të dalë mbi 100 milionë euro.
E në këtë kohë, kur qytetarët tanë edhe ashtu kanë ankesa të përditshme, sepse rritja e inflacionit dhe e çmimeve të produkteve ushqimore ua ka vështirësuar jetën, t’ua vësh në barrë edhe 100 milionë euro për diçka për të cilën ata nuk kanë asnjë detyrim personal, porse ai është detyrim shtetëror, kjo është ngarkesë dhe dëmtim i rëndë i qytetarëve. Ndërrimi i emrit të shtetit nuk guxon të faturohet në dëm të qytetarëve” – thuhet mes tjerash në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/