Alternativa përmes një kumtese ka reaguar për zbrazjen e shkollave ku ka nxënës shqiptar, ku sipas kësaj partie në vendin tonë vazhdon zbrazja e shkollave fillore dhe të mesme, informon Klan M.
”Si çdo vit, ashtu edhe në këtë vit, më 1 shtator filloi viti shkollor për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vendin tonë, por krahas problemeve të shumta në sistemin arsimor, duke filluar nga mungesa e objekteve shkollore, mohimi i së drejtës së mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës, Velesit, mungesa e librave dhe probleme të tjera të shumta, edhe këtë vit vazhdoi zbrazja e shkollave tona nga nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme të vendit tonë.
Në rajonin e Pollogut vetëm për 3 muaj rreth 350 nxënës i kanë braktisur bankat shkollore dhe janë shpërngulur drejt shteteve europiane. Vetëm për tre muaj nga 10 shkolla fillore të Gostivarit, 60 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje për t’u larguar nga vendi, ndërsa 40 nxënës të shkollave të mesme kanë marrë fletëshpërngulje për arsye të bashkimit familjar jashtë vendit. Përveç shkollave të Gostivarit, edhe shkollat e komunës së Tetovës përballën me rënie të numrit të nxënësve, po ashtu për shkak të bashkimit familjar në shtetet europiane.
Kështu, në 12 shkolla fillore të Tetovës fletëshpërngulje kanë marrë 128 nxënës dhe nga pesë shkolla të mesme të kësaj komune 31 nxënës tashmë janë shpërngulur jashtë shtetit. Po ashtu, për vetëm tre muaj nga katër shkolla fillore në Tetovë 99 nxënës janë çregjistruar pikërisht për shkak të shpërnguljes jashtë vendit. Gjithashtu edhe në shkollat e komunës së Zhelinës shfaqet ky problem. Kështu, nga gjashtë shkollat qendrore dhe 11 shkolla periferike vetëm në këtë tremujor janë çregjistruar 47 nxënës, të cilët kryesisht kanë bërë bashkim familjar në Gjermani, Zvicër, Itali, Norvegji etj.
Ku i lexon shifrat, nuk mund të mos e emërtosh autorin e këtij eksodi, sepse ai nuk është anonim. Janë 20 vitet e qeverisjes së një partie shqipfolëse (BDI), e cila – duke e drejtuar pushtetin me korrupsion, me abuzim të drejtësisë, si dhe me degradim të arsimit – është bërë shkaktare e kësaj shpërnguljeje masovike të shqiptarëve nga vatrat e tyre. Për fat të keq, për vite të tëra Ministria e Arsimit vazhdon të udhëhiqet nga kuadro të kësaj partie, ndërsa fëmijët shqiptarë vazhdojnë t’i braktisin shkollat.
Sidoqoftë, jemi thellësisht jemi të bindur që në ditën e zgjedhjeve ata do ta marrin dënimin e merituar pikërisht nga ata të cilëve ua morën ëndrrat për një të ardhme në vendin ku u lindën dhe ku thurnin plane që të plaken së bashku me familjet e tyre” – thuhet në kumtesën Alternativës. /KlanMacedonia/