Siç duket Lëvizja BESA sërish bëhet një, pasi sot Afrim Gashi dhe Bilall Kasami kanë nënshkruar deklaratën politike të bashkëpunimit mes Alternativës dhe Lëvizjes BESA, informon Klan M.
”Në frymë të kërkimit të mënyrave për artikulimin e zërit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot – në hapësirat e Kuvendit – u takuan kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizimi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik.
Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve.
Për këtë qëllim, dy kryetarët, Gashi dhe Kasami, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta zyrtarizuar këtë dakordim.
Për hapat e mëtejmë, për mundësitë e reja të bashkërendimit, si dhe për faktorët e tjerë që do t’i bashkohen këtij kampi, opinioni do të informohet më kohë” – thuhet në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/