Alternativa përmes një kumtese ka akuzuar BDI-në se përveq Ramiz Merkos i cili u gjend në listën e zezë të SHBA-ve, korrupsioni sipas tyre është edhe Ahmeti-Soravia, informon Klan M.
Ja kumtesa e plotë:
”Pas njoftimit të djeshëm të BDI-së se ata gjoja e kanë ngrirë anëtarësimin e Ramiz Merkos në organet e partisë dhe se rastin e tij e kanë lënë në dorë të institucioneve, jemi këtu për të thënë se kjo është hipokrizi e re e kësaj partie. T’ua lësh në dorë këtë rast të a.q. institucione dhe askush të mos marrë përgjegjësi politike, ky është kulmi. Po nëse ne do të kishim pasur institucione dinjitoze, që veprojnë, nuk do të kishte nevojë që SHBA-ja të na e bëjë listën e politikanëve të korruptuar!
Nëse për këtë turp të madh për shtetin, që aspiron integrimin europian, BDI-ja mjaftohet me një reagim dhe arsyetim të zbehtë të çiftit Ahmeti-Grubi, përmes zëdhënësit të tyre Bujar Osmani, kjo është dëshmi se për BDI-në e këtij formati nuk ka më shpëtim politik. Thjesht, ata e kanë humbur kontaktin me realitetin dhe kanë filluar ta shohin shtetin si çekmexhe private për pasurim personal. Në të vërtetë, nuk duhet ta ngrijë anëtarësimin në parti Ramiz Merko, por duhet të ngrihet gjithë BDI-ja dhe të përjashtohet nga pushteti. Le të përgjigjet Bujar Osmani se sa ramizmerko të tjerë të BDI-së ka në këtë moment në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ? Si ndodhi që bash nipi i Ali Ahmetit, të ketë aq para sa ta blejë qendrën më ekskluzive tregtare në Shkup, SORAVIA? A mos edhe ai ka marrë shembull nga Artan Grubi, vëllai i të cilit para do kohe u stolis me lokale në qendrën e vjetër tregtare?! Nëse dikur ishte në pushtet Gruevski dhe familja e tij, tash pushtet është Ahmeti-Grubi dhe familjet e tyre. Derisa shqiptarët e rinj çdo ditë marrin rrugën pa kthim të mërgimit, këta njerëz vetëm e rrisin kapitalin e tyre, të arritur përmes ndikimit politik dhe abuzimit me pushtetin.
Sidoqoftë, BDI-ja e çiftit Ahmet-Grubi do ta paguajë faturën e këtij poshtërimi ndaj shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të organizohen ato. BDI-ja do të shkojë në opozitë, ku mbase edhe mund të reformohet, ndërsa shqiptarët do të marrin frymë lirisht dhe shteti do të bëjë hapa seriozë drejt integrimit në Bashkimin Europian” – thuhet në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/