Nga partia Alternativa kanë reaguar ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ku siç thonë, reagimi i ambasadorit holandez ishte një alarm të cilin e quajnë skandal i rëndë që i kërcënon drejtpërdrejt perspektivat evropiane, përcjellë Klan M.
”Kanë kaluar 24 orë kur nga ambasadori holandez kuptuam se për shkak të korrupsionit është ndërprerë projekti i dedikuar për Këshillin Gjyqësor.
Një skandal i rëndë që i kërcënon drejtpërdrejt perspektivat tona evropiane. Nuk duhet të gënjejmë veten dhe të mendojmë se kjo është diçka që do të kalojë për tri ditë. AlternAtivA shpreh shqetësim të thellë për vendimet e tilla të Mbretërisë së Holandës.
Dilema kryesore është nëse po paralajmërohet pengesë e re në rrugën drejt BE-së, tani për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit? Nëse Qeveria është vërtet aq e përkushtuar në rrugën evropiane, siç e deklaron me këmbëngulje publikisht, atëherë nuk duhet të heshtë për këtë skandal të rëndë. Narrativi se pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës nuk përzihen në pushtetin e tretë, të pavarur, gjyqësor, prej kohësh nuk kalojnë askund. Sidomos për partizimin brutal të çdo instance në organet e gjyqësisë. Prandaj, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, të paktën nga turpi, duhej menjëherë të dorëzojë dorëheqjen e parevokueshme dhe të pranojë publikisht se Arben Taravari, ai dhe Aleanca për Shqiptarët janë bashkëpjesëmarrës në përvojat partiake të BDI-së dhe LSDM-së në gjyqësor në dëm të rrugës strategjike të shtetit. Kanë kaluar 7 muaj që kur AlternAtivA, ende si parti në pushtet, propozoi amendament kushtetues për të parandaluar parashkrimin e veprave penale të kryera me korrupsionin politik nga personat e zgjedhur dhe të emëruar. Një hap i përgjegjshëm që adreson drejtpërdrejt korrupsionin e lartë në të gjitha nivelet e pushtetit. Propozim që hasi shkallë të lartë të mirëkuptimit nga partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Për fat të keq, më të përgjegjshmit në Qeverinë aktuale, BDI-ja dhe LSDM-ja, në vend që ta pranojnë amendamentin, ata nëpërmjet megafonëve të tyre partiakë çdo ditë na akuzojnë se jemi duke imponuar kushtet tona për të mbështetur procesin e ndryshimeve kushtetuese. Detyrën tonë nuk do ta bëjë askush tjetër nga jashtë, por vetëm ne. Nuk ka ikje nga temat e dhimbshme. Herët a vonë, përballje me drejtësinë duhet të ketë. Tashmë është momenti që të gjitha partitë parlamentare të pajtohen për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe të krijohen mekanizmat juridikë që do të garantojnë se asnjë politikan profesionist që ka gabuar nuk do të mund t’i shmanget drejtësisë për shkak të ndikimit partiak në gjyqësor. Është e qartë se integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk do të varet më vetëm nga përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. Sa më shpejt ta kuptojmë realitetin, aq më mirë për të gjithë” – thuhet në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/