Në këto 100 ditë, arritëm të lançojmë iniciativën më të re të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, dhe kjo është ,,EraDigjitale”- program, i cili rrënjësisht e ka ndryshuar mënyrën se si qytetarët i marrin shërbimet publike. Duke ofruar shërbime më të shpejta elektronike dhe duke rritur transparencën institucionale, ne kemi reduktuar kohën për qytetarët në procesin gjatë marrjes së shërbimeve kryesore publike. Gjithashtu, i kemi prioritizuar nevojat e qytetarëve tanë me aftësi të kufizuara, duke u siguruar atyre që ta kenë të përmirësuar qasjen në infrastrukturën digjitale dhe të kenë shërbimin me përparësi në sportelet e administratës publike. Nëpërmjet kësaj iniciative, kemi për qëllim që të lehtësojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe të gjithë qytetarëve, duke promovuar inkluzivitetin dhe efikasitetin në punë.
Mes tjerash, këtë e theksoi ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu, në Konferencën e sotme për shtyp, në të cilën u prezantua puna e 100 ditëve të kaluara.
Ministri, vuri në pah se po punohet në Krijimin e Agjencisë Digjitale – e cila do të fokusohet në inkluzionin digjital, shërbimet publike digjitale, me ç’rast do të përmirësohet ekonomia e vendit, transparenca dhe llogaridhënien e institucioneve. Në mënyrë aktive,zhvillohen strategji dhe dokumente udhëheqëse me qëllimin e vetëm për të qenë në hap me Strategjinë Digjitale të BE-së ,,Kompasin Digjital”.
,,Procesi i hartimit të Strategjive të TIK-ut dhe të Sigurisë Kibernetike, zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar. Në 100 ditët e kaluara, jemi dëshmitarë për rritjen e numrit të shërbimeve digjitale të platformës nacionale, me premtimin e digjitalizimit të më tepër se 150 shërbimeve të reja elektroniek deri në fund të vitit. Kjo arritje, u siguron qytetarëve të kenë qasje më të lehtë në shërbime, pa vonesa të panevojshme ose endje që të zvarriten nëpër proceset e rënda burokratike”, theksoi ministri, duke plotësuar dhe se Portali Kombëtar tani u ofron qytetarëve edhe shërbime elektroniek në gjuhën shqipe. Projekt tjetër që theksoi ministri, është edhe krijimi i “Një Pikë Shërbimi” në 333 lokacione në mbarë vendin, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut. ,,Një pikë shërbimi” tashmë ka filluar të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me Qeverinë, duke siguruar shërbime më efikase dhe më të disponueshme në pesë qytete, dhe atë: në Shkup, Kumanovë, Manastir, Tetovë dhe në Ohër.
Në kontekst të Reformave të Administratës Publike, theksoi se drejt finalizimit është edhe Strategjia e re për Reforma në Administratën Publike (2023-2030); më tej janë finalizuar edhe Ligji për të Punësuarit e Sektorit Publik dhe Ligji për Nëpunësit Administrativë, të cilët janë në procedurë qeveritare; Gjithashtu, në mënyrë aktive po punohet në procesin e riorganizimit dhe optimizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit.
Duke e potencuar përkushtimin e thellë për mediat e lira që i shërbejnë interesit më të lartë publik, ministri theksoi se ndryshimet në Ligjin e Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale, veçmë janë në procedurë parlamentare, dhe së shpejti grupi punues do të fillojë punën në Ligjin e Mediave: ,,Si rezultat i kësaj, do të promovojmë transparencën, do të mbrojmë lirinë e shprehjes dhe do të inkurajojmë gazetarinë e përgjegjshme për të përforcuar themelet e një shoqërie demokratike”, theksoi ministri Aliu.