Alienët nuk e kthyen përshëndetjen e dërguar 40 vjet më parë

Astronomët ende nuk kanë marrë një përgjigje për mesazhin e tyre të dërguar drejt hapësirës 40 vjet më parë për të zbuluar ekzistencën e jetës jashtëtokësore.

Drejtuesi  i ekipit kërkimor në Universitetin Hyogo në Japoni, Shinya Narusawa u shpreh se gjatë mbrëmjes së 22 Gushtit nuk ka patur “incidente” të menjëhershme gjatë skanimit të qiejve. Ndërkohë ka ende sasi të dhënash të grumbulluara në terabajt që duhet të analizohen përpara se të dalë një përfundim. Një terabajt është një trilion bajt.

Përgjatë mbrëmjes së 22 Gushtit, Narusawa dhe ekipi kërkuan nëpër qiell duke përdorur një antenë dhe shpresonin për një përgjigje sepse kjo konsiderohet koha më e afërt kur mund të vinte një e tillë.

Mesazhi thoshte “Përshëndetje, a ka njeri atje?” dhe konsistonte në 13 vizatime që portretizonin historinë e jetës në Tokë, sistemin tonë diellor dhe strukturën e ADN-së.

Megjithatë, sinjali nuk ndaloi dhe kjo do të thotë se pavarësisht se mbrëmjen e shkuar nuk morën një mesazh, nuk përjashtohet mundësia që të mbërrijë në të ardhmen.

Nëse kjo do të ndodhë, profesori dhe ekipi duhet të zbatojnë një protokoll të përcaktuar nga Akademia Ndërkombëtare e Astronautikës.

Në rast të verifikimit të një sinjali, origjina e të cilit është jashtëtokësore, duhet të informohen një rang i gjerë personalitetesh ndërkombëtare. Më pas, informacionet mund të ndahen me publikun.

Personi që e zbulon është ai që duhet të njoftojë të tjerët. Megjithatë, atij nuk i lejohet të ridërgojë një tjetër mesazh pa u zbatuar të gjitha konsultimet në nivel ndërkombëtar./tvklan.al

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share