Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti bashkë me zv/kryeministrin Artan Grubi dhe zyrtar tjerë të kësaj partie ishin sot në 25 vjetorin e rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
“Që të gjithë janë fillimi i ortekut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të gjithë janë edhe bashkëluftëtarë të bashkëluftëtarëve tanë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli si dhe të tjerëve që kanë kaluar nëpër ata dyer, sot me krenari po edhe me kujtime të kohës, mbase edhe me dhimbje, i kujtojmë, sepse të gjithë këta e kanë dashur jetën për këtë arsye edhe kanë sakrifikuar për jetën e të gjithë popullit Kosovës e më gjerë. Lavdi e përjetshme, Femiut, Xhevës dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të cilët ne sot i kujtojmë”, tha Ahmeti.
Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.
Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.