Ali Ahmeti kërkon veprime: Qeveria e Kosovës të mos heshtë për shqiptarët në RMV

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti konsideron që Qeveria e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në prag të takimit të dy qeverive, që do ta mbahet sot në Prishtinë, Ahmeti i bën thirrje ekzekutivit kosovar që të flas me kryeministrin e RMV-së sa i përket problemeve të shqiptarëve atje.

Kreu i BDI-së ka shprehur shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit, pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Jam drejtuar me një thirrje, me apel Qeverisë së Kosovës që shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë t’ia komunikojnë… kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kam apeluar për të gjitha partitë politike në Kosovë që të kenë konsideratë shqetësimet që i kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, mbi tentativat që bëhen për ndryshimin e Ligjit të gjuhës, ndryshimin e marrëveshjes, substancës marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe shpresoj që ky apel të shkojë deri në vesh të institucioneve shtetërore, por edhe deri tek udhëheqësit e partive politike në Kosovë që të mos jenë indiferent, sepse përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta, në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në drejtim të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në Maqedoni të Veriut zhvillimet politike nuk premtojnë ndonjë perspektivë të qëndrueshme, sepse kanë ardhur disa iniciativa për ndryshimin e Ligjit të gjuhës shqipe, që kjo iniciativë, ma kujton 1989 kur Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës, që nuk është mirë as për komunitetin maqedonas dhe shqiptarët

“Sepse prekët substanca, palca e marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është hequr përkatësia etnike, gjithashtu që është pjesë, substanca e marrëveshjes paqësore të Ohrit, sepse pa përkatësinë etnike dhe deklarimin e etnisë, mund të gjinden dhjetëra arsye pse shqiptarët janë jo të përgatitur profesionalisht edhe të lihen të margjinalizohen, faktikisht po instalohet dominimi i shumicës mbi komunitetin e dytë shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe këto zhvillime janë shqetësuese për ne”, ka thënë Ahmeti. /RTK

Lexo gjithashtu
Total
0
Share