Aleatët lindorë të NATO-s shprehin mbështetje për Poloninë pasi u godit nga raketat e dyshuara ruse

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Polonisë po mblidhet pas raportimeve se raketat ruse kanë goditur një fermë në Przewodów, afër kufirit me Ukrainën dhe si pasojë kanë mbetur të vrarë 2 persona. Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane ishte burimi për raportin rreth raketave që goditën një fermë polake, por nuk e përmend emrin e zyrtarit.

Pas këtij lajmi, fqinjët lindorë të Polonisë në NATO kanë shprehur solidaritet me qeverinë polake. Shprehje mbështetjeje dhe solidariteti u dërguan nëpërmjet Twitter-it dhe nga qeveritë e tre shteteve baltike Estonia, Letonia dhe Lituania si dhe nga ato të Republikës Çeke dhe Sllovakisë, fqinjët e Polonisë në jug.

I pyetur për zhvillimet e mbrëmjes së sotme në Poloni, një zyrtar i NATO-s i tha BBC-së: “Ne jemi duke i shqyrtuar këto raporte dhe po koordinojmë ngushtë me aleatin tonë Poloninë”.

Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar deklaratat e mediave të huaja dhe zyrtarëve polakë se raketat ruse kanë rënë në fshatin polak Przewodow pranë kufirit me Ukrainën.

Ministria Ruse e Mbrojtjes i ka quajtur raportimet për sulmin me raketa ruse në Poloni “provokim të qëllimshëm për të përshkallëzuar situatën”.

“Asnjë goditje nuk u krye kundër objektivave pranë kufirit shtetëror ukrainas-polako nga mjetet ruse të shkatërrimit,” thuhej në deklaratën e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share