Thashethemet për të ardhmen e Lionel Messit sa vijnë e bëhet më të nxehta. Sulmuesi argjentinas duket se po kalon ditët e fundit në Paris, me të ardhmen që do vendoset në orët në vijim. Por duket se gjithçka është e lidhur me kalimin në Arabinë Saudite, andej nga ku ka mbërritur edhe oferta më e majme ndonjëherë. Sipas asaj që raportohet në mediat botërore, Al-Hilal ka përgatitur tashmë shifrën e 1.2 miliardë eurove për të marrë në skuadër 7 herë fituesin e Topit të Artë.
Madje, thuhet se agjenti i Messit dhe njëherësh babai i tij, Jorge zyrtarisht ka arritur marrëveshje me Al-Hilalin, e cila do të konfirmohet në qershor. Oferta është totali që Messi do të marrë nga qëndrimi dy-vjeçar në Lindjen e Mesme, për të garuar në të njëjtin kampionat me rivalin e tij të përjetshëm, Cristiano Ronaldos.
Kalimi i 35-vjeçarit argjentinas në Arabinë Saudite do të krijonte edhe kontratën më të kushtueshme ndonjëherë në futboll, me Messin që do përfitonte rreth 600 milionë euro në sezon. Në sezonin e fundit me PSG, kampioni i Botës ka shënuar 21 gola dhe dhënë 20 asistime në 41 ndeshje. Largimi nga PSG do realizohej me parametra zero për shkak të skadencës së kontratës me rekordmenët francez. Në gjurmët e tij gjenden edhe klube të tjera Europiane dhe jo vetëm, gjithsesi shifrat që mbërrijnë nga Arabia janë të frikshme dhe vështirë se mund të refuzohen.
Klan News