Akuzat e SPAK, Berisha: Paçavure e Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh në një konferencë për shtyp këtë të hënë se akuzat e SPAK-ut ndaj tij janë një “paçavure e Edi Ramës”. Sipas Berishës, akuzat janë një fletë rrufe.

“Pasi u njoha me dokumentin paçavure të Edi Ramës dhe larove të tij ‘skapistë’ deklaroj me përgjegjësi të plotë para shqiptarëve se kemi të bëjmë me një ‘dacibao’, fletë rrufe për ata që nuk dinë çfarë janë”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri theksoi nga selia blu se në dokumentacionin e SPAK ka një “kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze”.

“Është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze që faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë së vendosur ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezi, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se në akuzat e SPAK nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt se në dokumentet e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ është shkelur ndonjë ligj.

“Në privatizimin e kompleksit të klubit Partizani, në zinxhirin e pafundëm të shpifjeve, pas tre vitesh të bazuar në kallëzimin e rremë politik, Edvini dhe larot e tij, nuk janë në gjendje të japin as dhe një provë, fakt apo dokument të vetëm se në procedurat e privatizimit të klubit Partizani është shkelur ndonjë ligj, normë apo praktikë ligjore e këtij vendi”, tha Berisha.

Berishës i është vendosur masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”, si dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit pas dyshimeve se është përfshirë në korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është vënë në pranga.

Detyrim për t’u paraqitur me dyshimet e përfshirjes në korrupsion, u caktua nga gjykata edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërtues dhe bashkëpronar i ndërtimeve të bëra në ish-Kompleksin “Partizani”.

Hetimet për këtë dosje nisën pas kallëzimit të bërë në SPAK në 2020-ën nga Taulant Balla, sot ministër i Brendshëm, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në kallëzim Balla pretendonte se ish-kompleksi Partizani u privatizua në vitin 2009 në dëm të interesave të shtetit me një çmim më vogël se reali./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share