Akuzat e opozitës ndaj Begajt, Rama: Ka mbaruar koha kur Presidenti përdorte Kushtetutën si koktej Molotov

Pas akuzave të njëpasnjëshme këto ditë nga ana e deputetëve të opozitës ndaj Presidentit të vendit Bajram Begaj, ka një reagim prej kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetin e tij social “X” thotë se ka mbaruar koha kur Kreu i Shtetit “udhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë”, duke theksuar se do përfundojë shumë shpejt edhe kjo situatë e pazakontë parlamentare.

Sipas kreut të qeverisë ky vit do jetë ai i ndryshimeve të mëdha pozitive, pas një sërë arritjesh në 2023-in.

Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”, shkruan Rama.

Kujtojmë se sesioni i ri parlamentar nisi me kaos të Hënën, pasi deputetët e PD-së vijuan me bllokimin e zhvillimit normal të seancës, madje duke mos lejuar Presidentin Begaj të marrë fjalën e tij në foltore./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share