Aktgjykimi për rastin “Besa Trans” do të publikohet më 7 mars, pasi sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit u thanë fjalët përfundimtare të procesit. Në këtë rast, një person fizik dhe një person juridik akuzohen për veprën penale të vazhduar “falsifikim dokumentesh”.
Sipas aktakuzës për këtë rast, i akuzuari Bekim Haxhiu si udhëheqës person juridik i “Besa Trans” nga Rashçe akuzohet se ka kryer disa veprime të ndërlidhura me kohën dhe ka përdorur si dokument një licencë për transport ndërkombëtar false.
Sipas prokurorisë, Haxhiu u ka dhënë shoferëve që drejtonin automjetin dokumentin e falsifikuar të udhëtimit dhe me të në periudhën nga data 10.1.2021 deri më 21.11.2021 ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror në mënyra të ndryshme.
Haxhiu në seancën e parë tha se nuk ndihet fajtor për falsifikimin e dokumentit të udhëtimit, ndërsa fajësinë e ka mohuar edhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha.