Aktivisti Misini hyri në ditën e tretë të grevës me etje

“PRES QË QEVERIA TË DËSHMOJË SOT GATISHMËRI DHE TË MIRATOJË NDRYSHIMET NË SEANCË”

Aktivisti për të drejtat e njeriut Suad Misini për të tretën ditë me radhë po mban grevë etje përpara objektit të Kuvendit, me qëllim që të kuptohet urgjenca e zgjidhjes së problemit për personat pa dokumente. Greva tashmë ka filluar të reflektojë në gjendjen e tij shëndetësore.

“Kam efekte anësore klasike të pritura, temperaturë të ulët trupore, lodhje të përgjithshme e kështu me radhë. Por, ajo nuk është asgjë serioze që të më pengojë që të tentojmë edhe këtë ditë ta shtyjmë përpara çështjen për të cilën jam këtu”, tha Suad Misini, aktivist për të drejtat e njeriut.

Misini kërkon që të miratohen ndryshimeve në ligjin për strehim dhe vendbanim, pasi sipas tij, ndryshimet që u miratuan javën e kaluar në ligjin për evidencë amë, është vetëm pjesa e parë e problematikës të personave pa dokumente. Ai tha se amendamentet për këto ndryshime janë gati, duhet vetëm Qeveria të thirr seancë dhe t’i kalojnë, që të fillojë më pas procedura parlamentare e miratimit të tyre. Sipas tij, me vullnet politik mund të përfundojë shumë shpejtë ky problem.

“Është e rëndësishme që të rrumbullakësohet procesi legjislativ, që të mbyllet ky problem dhe t’i parandalojmë problemet e ardhshme. Do të thotë, asnjëherë më të mos merremi me këtë problematikë. Do të thotë informata për nevojën e miratimit të këtyre ndryshimeve, ka kaluar mbrëmë në Qeveri. Apeloj që të thirret seancë qeveritare në të cilën do të miratohen amendamentet që t’i dërgohen Kuvendit. Nga Kuvendi kam informata që deputetët janë të gatshëm të përfundojnë procedurën me procedurë të shpejtë”, tha Suad Misini.

Misini pret që Qeveria të dëshmojë sot gatishmëri efikase, duke shtuar se ata e kanë kuptuar urgjencën e zgjidhjes së kësaj çështje.

“Unë nuk mund ta di se, kur do të ndodhë dhe nëse do të ndodhë rezultati përfundimtar, por greva do të vazhdojë”, tha Suad Misini.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski vitizoi dje aktivistin Misini dhe bëri thirrje që sa më shpejtë të jetë e mundur të bëhen ndryshime edhe në ligjin për vendbanim dhe strehim, me çka do t’u mundësohet edhe një kategorie të rrezikuar të qytetarëve të nxjerrin dokumente personale. Ndërkaq, kryeministri, Dimitar Kovaçevski, tha se me këtë ligj do t’i vihet fundi probleme shumëvjeçare për rregullim ligjor të qëndrimit të personave pa dokumente./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share