Aktivistët e “Brezi i fundit” kanë penguar masivisht trafikun ajror në Gjermani të enjten në mëngjes. Në aeroportet Köln-Bonn, Berlin dhe Nuremberg u ndërprenë përkohësisht fluturimet.
Vetë organizata aktivistes e klimës, “Brezi i fundit” bëri të ditur, se nga dy aktivistë të saj kanë depërtuar në aeroporte brenda territorit të fluturimit të avionëve. Edhe në aeroportin e Shtugartit është përgatitur një aksion proteste. Sipas organizatës bëhet fjalë për një “rezistencë paqësore”, dhe se nuk janë prekur pistat e ngritjes dhe zbritjes së avionëve, por anëtarët e saj janë ngjitur në pista të tjera ku lëvizin avionët.
Një zëdhënës i aeroportit Köln-Bonn tha, se disa persona ishin futur në territorin e aeroportit ku kryhen fluturimet. Policia federale bëri fjalë për tre persona, që kishin depërtuar në aeroport. Sipas të dhënave të policisë ishte prerë një gardh rrethues i aeroportit.
Kurse puna në aeroportin BER në Berlin ka rifilluar, bëri të ditur radioja rbb. Protestuesit janë larguar nga territori i aeroportit dhe janë ndaluar përkohësisht nga policia. Ata duhet të llogarisin me padi për prishje të rendit publik, dëmtime dhe ndërhyrje e rrezikshme në trafikun ajror.
Së fundmi ka pasur disa protesta të “Brezit të fundit” në aeroportet gjermane, edhe në Frankfurt mbi Main, Lajpcig, Dortmund. Protesta e aktivistëve të klimës drejtohet kundër përdorimit të lëndëve djegëse fosile. Ata kërkojnë kthesën nga burimet fosile deri në vitin 2030./DW/