Është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy serbëve I.R dhe D.D lidhur me një rast të dhunimit seksual ndaj një gruaje shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Kështu bëri të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së përcjell Klankosova.tv
Me këtë rast viktima pësoj lëndime të rënda fizike në trup si dhe trauma të përhershme psikike.
“Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ti gjetur të pandehurit.