Aktakuzë ndaj dy personave për huliganizëm në veri të Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të nacionalitetit serb për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Sipas njoftimit, R.P dh D.O, dyshohet se me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”.

Në njoftim nuk specifikohet se kur janë kryer këto vepra penale. Por, vitin e kaluar aktakuzë për veprën e njëjtë penale ishte ngritur ndaj dy serbëve, të cilët dyshohej se kishin qenë të përfshirë në protestat e dhunshme në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, në fundin e majit të vitit të kaluar.

Serbët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok atëbotë kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Këto votime ishin bojkotuar nga serbët lokalë dhe partitë serbe.

Dhuna kulmoi në Zveçan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra ushtarë dhe protestues u plagosën gjatë përleshjeve.

Nëse gjenden fajtorë, dy të pandehurit, sipas Kodit Penal të Kosovës, mund të dënohen deri me pesë vjet burgim.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share