Aksidentohet një autobus në rrugën Gjakovë – Prizren, lëndohen tre persona

Një autobus është aksidentuar në magjistralen Gjakovë – Prizren, ku në pamjet e publikuara të rastit shihet se si përplaset me veturat e një autosalloni.

Për rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se ngasësi i një autobusi, në rrethana deri më tani të panjohura, kishte humbur kontrollin mbi autobusin dhe ka goditur gjashtë vetura të parkuara jashtë rrugës.

Aksidenti ka shkaktuar dëme materiale, dhe janë lënduar tre persona.

“Sot rreth orës 03:00, është raportuar aksident trafiku në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ngasësi i një autobusi, në rrethana deri më tani të panjohura, kishte humbur kontrollin mbi autobusin dhe ka goditur gjashtë vetura të parkuara jashtë rrugës. Përveç dëmeve materiale është raportuar për tre persona të lënduar. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke e hetuar rastin”, ka thënë Elezaj për Dukagjinin.

Sipas pronarit të autosallonit, nga ky aksident vetëm në anën e tyre janë shkaktuar dëme në vlerën rreth 200.000 euro, duke mos llogaritur këtu dëmet në infrastrukturën rrethuese.

“Faleminderit Zotit, që ky aksident nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por si pasoj e ngasjes së pa kontrolluar ky është aksidenti i 5-të që shkakton dëme në biznesin tonë, edhe pse nga ne janë marrë të gjitha masat mbrojtëse për të parandaluar situata të tilla”, ka shkruar Shkelzen Bushati në Facebook.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share