Nisja e Çmimit të Madh të Britanisë solli shumë frikë. Eventi u ndal pas nisjes, për shkak të një aksidenti ku u përfshinë disa makina, e për pasojë Alfa Romeo e drejtuar nga piloti kinez Guaniu Zhou u përplas me murin mbrojtës të pistës së Silverstonit.
Federata ndërkombëtare e Automobilizmit informoi se ekipet e ndihmës së shpejtë reaguan menjëherë dhe nxorën Zhoun nga makina. Mjeti i tij u kthye përmbys e pastaj rrëshqiti në pistë, e më pas u rrokullis drejt murit mbrojtës.
Piloti, i cili debuton këtë vit në Formula 1 ishte i ndërgjegjshëm pas aksidentit dhe u çua në spital për kontrolle më të detajuara për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Edhe piloti i Williams, Alexander Albon kishte nevojë për kontrolle të mëtejshme. Edhe George Russell me Mercedesin e tij u përfshi në aksident dhe u tërhoq. Britaniku i dha fund ecurisë si piloti i vetëm që ka dalë në pesëshën më të mirë në çdo garë në këtë sezon. Dëmtime mori edhe makina Alpine, e Esteban Ocon-it.
Klan News