Mëngjesin e së dielës, një incident rrugor ka ndodhur në lagjen nr.13 të Durrësit, në rrugën që çon drejt Plepave. Tre automjete janë përfshirë në një përplasje të fortë, duke shkaktuar dëmtime edhe në disa automjete të parkuara në afërsi. Për fat të mirë, nuk janë raportuar lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale në mjetet e përfshira.
Sipas vlerësimeve fillestare të ekspertëve rrugorë, aksidenti është shkaktuar nga një manovër e gabuar parakalimi nga njëri prej shoferëve. Si rezultat, policia rrugore ka marrë masa duke bllokuar një pjesë të rrugës, çka ka krijuar vështirësi në lëvizjen e pasagjerëve të urbanit të linjës së Plazhit, të cilët janë detyruar të presin për një zgjidhje alternative për të vazhduar udhëtimin e tyre.