158 automjete përplasen me njëra-tjetrën prej mjegullës
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Luiziana, SHBA, ku kanë humbur jetën 7 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas mediave të huaja mësohet se 158 makina u përplasën si pasojë e mjegullës së madhe në atë zonë.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë makina të shkatërruara dhe njëra mbi tjetrën. Si pasojë e përplasjes disa automjete kanë marrë flakë.
Një nga automjetet e përfshira në aksident ishte një kamion që mbante lëndë të rrezikshme, ndaj kjo detyroi ekipet e emergjencës të veprojnë në mënyrë të menjëhershme.
Guvernatori John Bel Edwards në një deklaratë u bëri thirrje njerëzve të dhurojnë gjak për të ndihmuar të plagosurit që po trajtohen në spital.
Ai gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të jenë të kujdesshëm për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Klan News