Agresioni në Banjskë – pjesë e agjendës së liderëve evropian në Granada

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë diskutimi i liderëve të shteteve evropiane në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), gjatë ditës së sotme në Granada të Spanjës, ndonëse diskutimet do të jenë me dyer të mbyllura.

Nga e mërkura atje po qëndron edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani si dhe homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq.

E para e shtetit të Kosovës pas arritjes në Granada ka treguar në platformën X, se në këtë samit do diskutojë sfidat e sigurisë së Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë.

”Në takime me kolegët udhëheqës, do të diskutoj sfidat e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të Serbisë dhe do të ritheksoj angazhimin tonë për thellimin e bashkëpunimit me aleatët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë”, shkroi Osmani.

Agjendës së diskutimeve evropiane iu shtua Kosova, pas agresionit të 24 shtatorit që u bë nga një grup i serbëve i drejtuar nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, të cilët në Banjskë të Zveçanit e kanë sulmuar një njësi patrulluese të Policisë së Kosovës, ku i vrarë ka mbetur rreshteri Afrim Bunjaku. Ndërkaq, nga aksioni i policisë në Banjskë kundër grupit kriminal kanë mbetur të vrarë tre serbë, nëntë janë arrestuar, gjashtë prej të cilëve janë liruar.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se dyshja e fortë evropiane, Olaf Scholz i Gjermanisë dhe Emmanuel Macron i Francës mund të tentojnë t’i bëjnë bashkë Osmanin e Vuçiqin për një takim.

Pos Kosovës, do të diskutohet edhe për çështjet më urgjente me të cilat përballet aktualisht BE-ja, si migrimi, zgjerimi i bllokut, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në Nagorno Karabakh.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share