Agjenda legjislative është një nga arsyet zyrtare që kreu i ekzekutivit Albin Kurti ka ftuar liderët e partive opozitare parlamentare në një darkë pune.
I vetmi që i është përgjigjur pozitivisht ftesës është kreu i PDK-së Memli Krasniqi.
Ata pritet të takohen në darkë ndësa Krasniqi është shprehur se temë interesi për PDK-në nuk do të jenë ligjet. Nga kjo parti kanë thënë se pjesëmarrja e Krasniqit do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.
Kreu i LDK-së në përgjigjen ndaj ftesa për takim është e vonuar. Madje sipas tij sa i përket temës për agjendën legjislative janë shefat e grupeve parlamentare për të diskutuar për këtë cështje dhe është kryesia e Kuvendit vendi ku diskutoheës këto tema.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, tha Lumir Abdixhiku.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se tema për të cilën i ka ftuar Kurti u përket shefave të grupeve parlamentare.
“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejtë në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, tha Ramush Haradinaj.