PËRGËNJESHTROJMË ASHPËR POHIMET E DISA PORTALEVE
Agjencia për Kundërzbulim ashpër ka përgënjeshtruar tekstin me titull “Qeveria riaktivizon operacionin “Atlantik” me qëllim të thyerjes së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese” të publikuar më 22 gusht në portalin “Ekspres.mk”, ku sipas Agjencisë janë plasuar dezinformata dhe lajme të rreme.
“Nuk kemi operacion me emër të tillë të koduar, respektivisht nuk është pjesë e operacionit të përbashkët me shërbimet vendore e as me aleatët e NATO-s. Lidhur me pohimet se i ashtuquajturi operacion “Atlantik” është vazhdimi i aktiviteteve të filluara në vitin 2017/2018, saktësojmë se në atë periudhë Agjencia udhëhiqej nga drejtor tjetër, të emëruar nga Presidenti i mëparshëm. Ju sigurojmë se Presidenti Pendarovski nuk përzihet në punën e Agjencisë, e as që ka dhënë urdhër për të ndjekur aktivitetet e rivalëve politik”, thonë nga Agjencia për Kundërzbulim.
Portali “Ekspres.mk” njoftoi se sipas informatorëve nga shërbimet e sigurisë, njerëz të besueshëm të LSDM-së dhe BDI-së, në bashkëpunim me Presidentin Pendarovski, kanë riaktivizuar operacionin “Atlantik” që ishte zbatuar në vitin 2017 dhe 2018, sic thuhet për të izoluar kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës.
Sipas njoftimit të këtij portali, sikurse para 5 viteve, tani në shënjestër të shërbimeve të sigurisë janë përfaqësues të partive politike, personalitete publike, gazetarë, biznismenë që kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese./KlanMacedonia