Aeroplani i rrëzuar në Kazakistan, u godit gabimisht nga një raketë?

Një avion pasagjerësh që kishte në bord 67 persona, mes të cilëve 42 azerbajxhanë, 16 rusë, 6 kazakë dhe 3 kirgizë e që po udhëtonte nga Baku i Azerbajxhanit drejt Groznyt në Çeçeni, u rrëzua në orët e para të së mërkurës, në afërsi të qytetit Aktau të Kazakistanit.

Si pasojë e kësaj përplasjeje, autoritetet kazake njoftuan se 29 persona mbijetuan, ndërsa 38 të tjerë mbetën të vdekur.

Nisur nga hetimet e deritanishme, gjithnjë sipas mediave në Kazakistan, dy mbeten pistat kryesore që mund të jenë shkak i këtij aksidenti ajror.

Raportet fillestare tregojnë se gjatë fluturimit avioni ka ndeshur një tufë zogjsh duke pësuar kështu dhe goditjen që rezultoi me rënien në tokë.

Një tjetër hipotezë që po vlerësohet, sipas burimeve ukrainase që sjellin një version të ri të këtij aksidenti, është se avioni u godit gabimisht nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore çeçene.

Anton Gerashenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Kievit, nga profili i tij në Telegram, vë në qendër të vëmendjes disa të dhëna.

“Videot e disponueshme, theksonin dëmtimin e një krahu të avionit dhe të trupit të tij. Avioni u përpoq të ulej në Grozny dy herë, por nuk u autorizua. Gjatë përpjekjes së tretë, një shpërthim ndodhi në një distancë të shkurtër nga avioni: mund të ishte shkaktuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore”, tha Anton Gerashenko.

Sipas kësaj hipoteze, aeroplani ka përsëritur tre herë manovrën e uljes për shkak të motit të keq. Duke tentuar uljen, personeli çeçen i mbrojtjes kundërajrore mund të jetë ngatërruar nga manovra e aeroplanit dhe kanë menduar se mund të ketë qenë dron ukrainas. Kjo për shkak se ditët e fundit, dronët ukrainas kanë goditur disa herë kryeqytetin çeçen, Grozny.

Aeroplani i pasagjerëve që u rrëzua ishte një model Embraer, konkurrent modest i Beoing dhe Airbus. Embraer është një prodhim brazilian që ka të dhëna të shkëlqyera të sistemit të sigurisë. Avioni e kishte kaluar inspektimin e fundit Tetorin e kaluar. Ndërsa piloti kryesor kishte eksperiencë 15 mijë orë fluturim.

Çka pritet të hedhë më shumë dritë për shkaqet e rrëzimit është kutia e zezë e aeroplanit, ku pas analizës do të dëgjohen komunikimet e fundit të pilotëve me qendrën e kontrollit. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share