Një aeroplan i Air Canada, që po udhëtonte nga qyteti St. John’s në Ishullin e Newfoundland-it, pati një ulje të vështirë në aeroportin e Halifax-it në Goffs, provinca Nova Scotia.
Aeroplani rrëshqiti jashtë pistës dhe një pjesë e tij mori flakë, transmeton klankosova.tv.
Në një deklaratë të lëshuar nga aeroporti, thuhet se incidenti përfshiu fluturimin AC 2259, i cili operohej nga PAL Airlines, raportoi CBC News.
Për momentin nuk janë raportuar detaje të tjera mbi shkaqet apo pasojat e incidentit.
Personat në bord u evakuuan dhe më pas u dërguan në një hangar ku u kontrolluan nga paramedikët.
Për shkak të incidentit, aeroporti i Halifax-it u mbyll përkohësisht të shtunën në mbrëmje.