Ademi: RMV nuk dëmtohet nga ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, në fjalimin e tij në seancën e pestë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (KNBE-MK) theksoi se vendi nuk do të pësojë asnjë dëm nëse përmbushim kushtin për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të filluar negociatat me BE-në.

Ademi tha se jemi para një sfide të madhe që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese dhe parakusht për hapjen e klasterave. Personalisht, por ky është edhe qëndrimi i BDI-së, tha Ademi, “Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do të pësojë asnjë dëm nëse e përmbushim këtë kusht dhe në kushtetutën sonë përfshihen edhe bashkësitë tjera etnike, përfshirë atë bullgare”.

Sipas tij, këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse realisht e duam, dhe jo vetëm deklarativisht të ndjekim rrugën evropiane.

“Unë jam mbështetës i sigurimit të një konsensusi të gjerë shoqëror shtetëror ndërpartiak. Unë besoj dhe jam thellësisht i bindur se nuk kemi të drejtë të heqim dorë nga synimet strategjike të vendosura, të cilat janë brezash dhe nuk janë funksion i politikës ditore. Unë e mbështes plotësisht Qeverinë dhe përpjekjet e institucioneve tona për të hyrë në BE në vitin 2030. Të merremi më pak me politikë dhe të fokusohemi më shumë në reforma”, tha Ademi.

Ademi foli në hapjen e seancës së pestë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (KNBE-MK), e cila mbahet në Kuvend. Në seancën plenare, panelet diskutojnë temat “Themelet e integrimit evropian: Sundimi i ligjit dhe reformat e zbatuara” dhe “Si të përballemi me ndryshimet klimatike dhe pasojat sociale në bujqësi, pylltari dhe mjedisin jetësor”. Para tyre fjalim mbajti presidenti Stevo Pendarovski, e më pas ambasadorët e BE-së dhe Sllovakisë dhe zëvendësambasadori i SHBA-së.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share