Pas fitores spektakolare kundër Serbisë të premten në Kupën e Botës në futboll, fanella që barti superylli shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, qe ajo që nxiti reagimin e mediumeve e opinionit në Serbi. Ai bartte fanellën e bashkëlojtarit te Zvicra, Ardon Jashari, por që për serbët mbiemri Jashari ishte provokim. Tensionet e ngritura kanë bërë që mediumi i madh zviceran “Blick” t’ua rrëfejë lexuesve të vet historinë prapa mbiemrit Jashari.
Zvicra fitoi 3:2 në një ndeshje që nuk është vetëm sportive. Përballja e së premtes ishte e dyta mes Zvicrës dhe Serbisë, në kohën kur te Zvicra luajnë shqiptarët e Kosovës. Në ndeshjen e shkuar, në Botërorin para katër vjetëve, ishin pikërisht Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri që patën eliminuar Serbinë. Festa me shqiponjë pati nxitur tensione e debate të gjata. Me tensione u përcoll edhe ndeshja në Katar. Sërish Zvicra eliminoi Serbinë, e shqiptarët qenë më të dalluarit në fushë. Shaqiri realizoi një gol, e Xhaka dominoi mesfushën plotësisht dhe u zgjodh lojtari i ndeshjes.
Tani te Zvicra është edhe talenti tjetër shqiptar nga Kumanova, Ardon Jashari. Fanellën e tij me numrin 26 e bartte Xhaka pas ndeshjes, gjatë festimeve në fushë.
Teksa opinioni në Serbi shpërtheu në reagime dhe kërkoi edhe dënimin e Xhakës pasi mbiemri ishte i njëjtë me atë të heroit kombëtar, Adem Jashari, ishte vetë futbollisti nga Kosova që mohoi se në mesazhin e tij ka prapavijë politike.
Duke komentuar reagimet e serbëve, “Blick” ka shkruar shkurt për komandantin legjendar.
“Adem Jashari: Hero në Kosovë” ishte titulli i përshkrimit, që ka vazhduar duke shpjeguar se Jashari është hero kombëtar në Kosovë dhe ishte bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën ndaj Serbisë dhe një nga protagonistët në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Është theksuar se edhe Aeroporti i Prishtinës mban emrin Adem Jashari.
Tutje është shkruar për familjen e Xhakës. Babai i tij, Ragipi, qe arrestuar gjatë protestave në të 80-at e se ishte torturuar në burgjet e ish-Jugosllavisë. Kur ishte liruar, kishte shkuar drejt Zvicrës, ku Graniti u lind më 1992./koha/Blick