Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me planin e Qeverisë Kurti për ta hapur Urën e Ibrit për qarkullim për vetura, pavarësisht se ndërkombëtarët ia kanë bërë të qartë se nuk e përkrahin një veprim të tillë.
Abdixhiku ka thënë se hapja e urës pa i bindur aleatët, nënkupton konfrontim me ta, shkruan Reporteri.net.
“Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai akuzuar Kurtin për propagandë, derisa sipas tij, kjo që po ndodh po bëhet për interes paraelektoral.
“Një Kryeministër serioz do duhej t’i vlerësonte të gjitha këto. Shumë kohë para se të fusë shtetin në një rrugëtim. Por ne kemi Kryeministër për propagandë. Prandaj, mos shpenzoni kohë në këtë fushatë paralektorale të popullistëve!”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, ura nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë.
“Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni!”, thuhet në postimin e tij.
Ndryshe, kamionë me pesha të rënda janë parë sot mbi urën e lumit Ibër. Të kontraktuar nga Qeveria e Kosovës, ata testuan qëndrueshmërinë e urës, të cilën Qeveria po bën përgatitje që ta hapë. Për të arsyetuar vendimin e hapjes së urës për qarkullimin e automjeteve, Qeveria dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut organizuan një debat publik, por ftesës iu përgjigjen shumë pak qytetarë.