AAK-ja dhe Nisma lidhin koalicion parazgjedhor

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka vendosur për koalicionin parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate.

Në tekstin e deklaratës, të cilin para medieve e nënshkruan krerët e dy partive, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thuhet se AAK dhe Nisma lidhin marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e përgjithshme të radhës 2024-2025.

“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në tekst.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se diskutimet për këtë koalicion kanë zgjatur disa muaj.

Sipas tij, kanë vlerësuar se qytetarët e Kosovës janë lënë vetëm dhe po luftohen nga ata që do duhej të kishin mbrojtje.

“Shenjat më të këqija të luftës kundër kategorive janë veprimet kundër kategorive të luftës, kundër mësimdhënësve, shërbyesve civilë dhe po ashtu projekteve kapitale të vendit. Ne nuk dëshirojmë ta lëmë qytetarin e Kosovës vetëm. Nuk duam të shohim Kosovën duke u zbrazur. Ne që ta ndryshojmë këtë gjendje, kemi vendosur për koalicion”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky bashkim do të zgjerohet edhe me partnerë të tjerë politikë.

AAK dhe NISMA Socialdemokrate garojnë në një listë të përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme kurdo që ato të mbahen.

Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje, përfundon deklarata e përbashkët e AAK-së dhe NISMA Socialdemokrate e Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share